Nëse lumturia do të ishte një garë olimpike, vendet nordike do të kishin garantuar të tri vendet në podium.
Sipas edicionit më të fundit të World Happiness Report , tri vendet më të lumtura në botë janë: Finlanda, Islanda dhe Danimarka.
Finlanda u shpall vendi më i lumtur në botë për herë të 9-të radhazi, me Islandën në vendin e dytë dhe Danimarkën në vendin e tretë, në renditjen që përpilohet nga Qendra për Kërkime mbi Mirëqenien në Universitetin e Oksfordit dhe përfshihet në raportin vjetor mbi lumturinë globale.
Kosta Rika pati një paraqitje shumë të mirë, duke u renditur në vendin e katërt — renditja më e lartë ndonjëherë për një vend nga Amerika Latine, por më pas renditja i kthehet sërish vendeve nordike, me Suedinë dhe Norvegjinë që zënë përkatësisht vendin e 5-të dhe të 6-të. Tri vende të tjera evropiane shfaqen në top 10: Holanda në vendin e 7-të, Luksemburgu në vendin e 9-të dhe Zvicra në vendin e 10-të.
Izraeli, i vetmi vend nga Lindja e Mesme në top 20, zuri vendin e 8-të. Kosova renditet e 16-ta në listë, duke lënë pas vendet si Gjermania, Austria, Sllovenia, Emiratet e Bashkuara Arabe, etj.
SHBA-ja renditet në vendin e 23-të këtë vit, ndërsa Kanadaja në vendin e 25-të dhe Mbretëria e Bashkuar në vendin e 29-të. Ky është viti i dytë radhazi që asnjë nga vendet anglishtfolëse — SHBA-ja, Zelanda e Re, Irlanda, Australia, Kanadaja apo Mbretëria e Bashkuar, nuk shfaqet në top 10.
Për të përcaktuar renditjen, sondazhi global i Gallup-it u kërkon të anketuarve në 147 vende të vlerësojnë jetën e tyre duke përdorur imazhin e një shkalle, ku jeta më e mirë e mundshme është 10 dhe më e keqja është 0. Çdo i anketuar jep një përgjigje numerike në këtë shkallë, e njohur si Shkalla Cantril.
Studiuesit marrin në konsideratë gjashtë faktorë, përfshirë PBB-në për frymë, jetëgjatësinë, bujarinë dhe perceptimet për lirinë dhe korrupsionin, për të shpjeguar dallimet midis vendeve.