Shumë njerëz që diagnostikohen me sëmundje të zemrës mendojnë se duhet të heqin dorë nga karbohidratet. Megjithatë, sipas ekspertëve, kjo nuk është zgjedhja më e mirë. Kufizimi i tepërt i tyre mund ta privojë organizmin nga fibrat, lëndë ushqyese që ndihmojnë në uljen e rrezikut për sëmundjet e zemrës, ka shkruar EatingWell.
“Karbohidratet që përmbajnë fibra dhe antioksidantë ndihmojnë shëndetin e zemrës duke ulur kolesterolin e keq (LDL), duke balancuar sheqerin në gjak, duke ndihmuar në kontrollin e peshës dhe duke reduktuar inflamacionin”, ka thënë dietologia Sheri Gaw.
Dietologët rekomandojnë këto pesë ushqime të pasura me karbohidrate:
Tërshëra, është e pasur me beta-glukan, një fibër që ndihmon në uljen e nivelit të yndyrës së dëmshme në gjak.
“Tërshëra është efektive sidomos në uljen e nivelit të yndyrës së dëmshme në gjak LDL, sepse fibra e saj e tretshme lidhet me kolesterolin në sistemin tretës dhe ndihmon në largimin e tij nga organizmi”, ka shpjeguar dietologia Lisa Young.
Bishtajoret , si fasulet, thjerrëzat dhe qiqrat janë burime të shkëlqyera të proteinave bimore, fibrave, kaliumit dhe magnezit, që ndihmojnë në mbajtjen nën kontroll të yndyrës së dëmshme në gjak dhe tensionit të gjakut.
“Zëvendësimi i mishit me proteina bimore nga thjerrëzat, qiqrat ose djathi tofu ndihmon në uljen e yndyrave të ngopura dhe rrit marrjen e fibrave të tretshme, duke reduktuar krijimin e pllakave në enët e gjakut”, ka thënë Gaw.
Frutat e malit si boronicat, dredhëzat dhe manaferrat janë të pasura me antioksidantë që mbrojnë enët e gjakut.
