Princesha e Wales-it, Kate Middleton, është pritur me entuziazëm të madh nga qytetarët gjatë vizitës së saj në Itali, e para jashtë vendit pas trajtimit ndaj kancerit.
Kate u shfaq në sheshin qendror të qytetit Reggio Emilia, ku dhjetëra qytetarë ishin mbledhur për ta përshëndetur me duartrokitje, brohoritje dhe pankarta me mbishkrimin “Ciao Kate”.
Gjatë takimit me qytetarët, Princesha e Wales-it u ndal për të biseduar me njerëzit, realizoi selfie dhe përshëndeti shumë prej tyre, ndërsa të pranishmit mbanin lule dhe telefona celularë për të fiksuar momentin.
Kjo shënon daljen e saj të parë në një aktivitet zyrtar ndërkombëtar pas më shumë se tre vitesh. Vizita e fundit jashtë vendit e Kate Middleton ishte në Boston, së bashku me Princin William, në dhjetor të vitit 2022.
Prania e saj në Itali ka tërhequr vëmendje të madhe mediatike. Në zonë ndodheshin dhjetëra fotografë, ekipe televizive dhe forca të shumta policore, ndërsa shumë banorë ndiqnin vizitën edhe nga ballkonet dhe dritaret e ndërtesave pranë sheshit.
