Vitamina D është shumë e rëndësishme për shëndetin: ndihmon në uljen e inflamacionit, mbron eshtrat dhe ndikon në ritmin e gjumit. Marrja e saj si suplement mund të ndihmojë kur niveli është i ulët. Megjithatë, koha kur e merr mund të ndikojë në gjumë, ka shkruar Health.
A mund të prishë gjumin vitamina D?
Disa studime sugjerojnë se marrja e vitaminës D në mbrëmje mund të ndikojë në prodhimin e melatoninës. Melatonina është hormoni që trupi prodhon në errësirë dhe që na ndihmon të flemë dhe të mbajmë ritmin natë-ditë.
Meqë vitamina D prodhohet kryesisht nga dielli, disa studiues mendojnë se niveli i saj duhet të jetë më i lartë gjatë ditës dhe më i ulët në mbrëmje. Për këtë arsye, marrja e suplementit gjatë ditës mund të jetë më e përshtatshme,
Vitamina D ndikon edhe në serotoninën, hormon që lidhet me humorin dhe që ndihmon në prodhimin e melatoninës. Nivelet normale e mbështesin këtë proces, por doza shumë të larta nga suplementet mund ta ulin serotoninën, dhe si pasojë edhe melatoninën.
Për shembull, një studim i vitit 2013 te personat me sklerozë multiple ka treguar se doza të larta të përditshme të vitaminës D ulën nivelin e melatoninës gjatë natës pas tre muajsh.
A ndihmon vitamina D për gjumë?
Nga ana tjetër, ka edhe prova që vitamina D mund të përmirësojë gjumin.
Nivelet e ulëta të saj lidhen me rrezik më të lartë për çrregullime të gjumit, gjumë më të dobët dhe më pak orë gjumi. Niveli mbi 20 ng/mL konsiderohet i mjaftueshëm për shëndetin.
Një analizë e vitit 2022 ka treguar se personat me nivele më të ulëta se 20 nanogram për mililitër (ng/mL) kishin më shumë probleme me gjumin.
Arsyeja nuk është plotësisht e qartë, por është vërejtur në shumë grupe, si te gratë shtatzëna, punëtorët e fabrikave dhe pacientët me probleme të veshkave.
Vitamina D ndikon edhe indirekt në prodhimin e melatoninës. Nivelet e ulëta mund ta ulin atë, por edhe nivelet shumë të larta mund të kenë të njëjtin efekt.
Gjithashtu, mungesa e vitaminës D mund të rrisë inflamacionin në trup, gjë që mund të prishë gjumin.
Si ta merrni vitaminën D për përthithje më të mirë?
Vitamina D tretet në yndyrë, prandaj përthithet më mirë kur merret me ushqime që përmbajnë yndyrë.
Koha që konsiderohet të jetë e përshtatshme për marrjen e kësaj vitamine, është mëngjesi, së bashku me ushqime si avokado, arra dhe fara, vaj ulliri e produkte bulmeti.
