Rreth 660 mijë gra pritet të përfshihen në një studim në Mbretërinë e Bashkuar për të parë nëse inteligjenca artificiale mund t’i ndihmojë specialistët të zbulojnë më herët kancerin e gjirit. Rekrutimi ka nisur në Cambridge dhe studimi pritet të shtrihet në rreth 30 qendra në Angli, Skoci, Uells dhe Irlandën e Veriut.
Studimi, i quajtur EDITH, është më i madhi i këtij lloji në botë. Ai drejtohet nga Universiteti i Warwick-ut, Universiteti i Cambridge-it dhe spitalet universitare të Cambridge-it. Sipas njoftimit të Universitetit të Cambridge-it, studimi financohet me 10 milionë paund nga Instituti Kombëtar për Kërkime në Shëndetësi dhe Kujdes (NIHR).
Si do të përdoret inteligjenca artificiale?
Në programin rutinë të Shërbimit Kombëtar të Shëndetësisë (NHS), gratë ftohen për mamografinë e parë mes moshës 50 dhe 53 vjeç. Pas kësaj, ftesat përsëriten çdo tre vjet deri në moshën 71 vjeç. Pamjet me rreze X të gjirit zakonisht shqyrtohen nga dy specialistë.
Studimi do të vlerësojë dy mënyra të përdorimit të teknologjisë. Në njërën, sistemi analizon mamografinë përpara specialistëve dhe sinjalizon sa gjasa ka që pamjet të tregojnë shenja të kancerit. Në tjetrën, sistemi merr rolin e njërit prej dy specialistëve që zakonisht shqyrtojnë mamografinë. Të paktën një specialist i NHS-së do të shqyrtojë çdo mamografi.
Sistemet janë trajnuar me mamografi të mëparshme për të dalluar modele dhe ndryshime të imëta që mund të sinjalizojnë praninë e kancerit. Gratë që kryejnë kontrollin rutinë në qendrat pjesëmarrëse mund të zgjedhin të mos përfshihen. Në atë rast, mamografia shqyrtohet si zakonisht nga dy specialistë, pa ndihmën e inteligjencës artificiale.

