Gjatë ditës së hënë u raportua se Edon Zhegrova po kërkohet nga Besiktasi, ndërsa interesimi i klubit turk ka vazhduar të përmendet edhe sot në mediat sportive.
Në Itali, ndërkohë, situata e anësorit të Juventusit po shihet me vëmendje, pasi minutat e pakta që ka marrë këtë sezon kanë shtyrë klubin ta rishqyrtojë të ardhmen e tij.
Reprezentuesi i Kosovës u transferua nga Lille, një marrëveshje që besohet të arrijë deri në 18.5 milionë euro në total (14.3 milionë euro tarifë bazë, 1.2 milionë euro kosto shtesë dhe 3 milionë euro bonuse).
Shifrat e sezonit të tij të parë te Juventusi janë të dobëta: zero gola, zero asistime dhe vetëm 447 minuta të luajtura në 21 paraqitje në të gjitha garat.
Lëndimet kanë ndikuar në ecurinë e tij, por edhe fakti se nuk ka arritur ta bindë trajnerin Luciano Spalletti. Tekniku italian i ka dhënë Zhegrovës vetëm tri paraqitje në 11 ndeshjet e fundit, me gjithsej 65 minuta në fushë.
Megjithatë, Fabrizio Romano ka dhënë një përditësim për të ardhmen e tij, duke theksuar se lojtari dëshiron të vazhdojë në Torino.
“Pavarësisht thashethemeve që e lidhin Edon Zhegrovën me Beşiktaşin, lojtari dëshiron të qëndrojë dhe të luftojë për vendin e tij te Juventusi në sezonin e ardhshëm. Sulmuesi i krahut u ka kërkuar shprehimisht agjentëve të tij të presin, pasi prioriteti i tij është të jetë pjesë e së ardhmes së Bianconerëve. Por, në fund vendos klubi dhe nuk përjashtohet mundësia që Zhegrova të largohet nga Juventusi në verë”, ka deklaruar Romano