Mërgim Vojvoda ka thënë se Kosova është e gatshme për përballjen e nesërme ndaj Austrisë.
Në konferencën për media, mbrojtësi i Kosovës pranoi se austriakët janë favoritë, por theksoi se “Dardanët” i kanë mundësitë e tyre për të marrë pikët e plota.
“Gjendja është e mirë. I gjithë ekipi është në dispozicion dhe presim të jemi gati për ndeshjen e nesërme”, tha Vojvoda.
Ai theksoi se synimi i Kosovës mbetet kualifikimi në një turne të madh dhe se Liga e Kombeve mund t’u japë një mundësi shtesë përmes play-offit.
“Austria ka eksperiencë dhe është favorite, por edhe ne i kemi shanset tona. Me Irlandën i morëm pikët e plota. Besoj se do të ketë shumë tifozë shqiptarë, siç ka pasur edhe në ndeshjet e tjera si mysafir, dhe kjo na bën shumë më të fortë”, u shpreh ai.
Vojvoda foli edhe për David Alaban, me të cilin do të jetë bashkëlojtar te Udinese, por që nuk do të jetë pjesë e Austrisë në këtë ndeshje.
“E kemi pritur sepse ka qenë pak i lodhur. E kam pasur mundësinë ta shoh në stërvitje dhe më vjen keq që nuk mund ta shoh në kombëtare. Por, do ta shoh në Udinese dhe besoj se do ta shohë ndeshjen si kapiten që është dhe do të më njohë pak më mirë”, tha Vojvoda.
Ndeshja Austri – Kosovë zhvillohet nesër nga ora 18:00