Lionel Scaloni ka refuzuar të spekulojë për të ardhmen e Lionel Messit me kombëtaren e Argjentinës, në prag të finales së Kupës së Botës ndaj Spanjës.
Përzgjedhësi i Argjentinës theksoi se vetëm kapiteni e di nëse do të vazhdojë të luajë për përfaqësuesen pas përfundimit të këtij turneu, teksa spekulimet për pensionimin e tij janë shtuar ndjeshëm.
Argjentina hyn në finalen e Kupës së Botës kundër Spanjës mes shumë pikëpyetjeve nëse Messi do të zhvillojë ndeshjen e tij të fundit me fanellën e kombëtares. Duke folur në një konferencë për shtyp në Neë York të premten, Scaloni pranoi se nuk ka asnjë ide për planet e kapitenit të tij pas turneut.
Kjo pasiguri vjen pavarësisht një tjetër turneu të jashtëzakonshëm nga 39-vjeçari. Messi ka shënuar tetë gola dhe ka dhuruar katër asistime, duke ndarë vendin e parë në garën për Këpucën e Artë me francezin Kylian Mbappe.
Ai ishte gjithashtu vendimtar në fitoren 2-1 të Argjentinës ndaj Anglisë në gjysmëfinale, duke udhëhequr ekipin me një tjetër paraqitje të shkëlqyer.
Me zërat për pensionimin që dominojnë atmosferën para finales së së dielës, Scaloni u pyet nëse pret që Messi të vazhdojë të përfaqësojë Argjentinën. Trajneri kampion bote i vitit 2022 e bëri të qartë se vendimi i takon vetëm kapitenit të tij.
