Në Prizren krenohen me Vedat Muriqin. Rruga e tij drejt skenës së madhe ndërkombëtare mbetet një prej historive me të cilat qyteti dhe klubi kanë arsye të mburren.
Por trajneri i Lirisë, Ismet Munishi, është i bindur se qytetarët e Prizrenit do të kenë arsye të mburren edhe me arritjet e klubit Liria në Superligë.
“Unë besoj fuqishëm me atë që kemi treguar deri më tani, do të jemi pjesë e Superligës. Besoj se më shumë ka nevojë Superliga për Lirinë se Liria për Superligën”, thotë Munishi për KOHËN të hënën.
Liria është në rrugë të mirë për t’u rikthyer në Superligë. Të dielën u konfirmua si kampione vjeshtore në Ligën e Parë pas fitores bindëse 3:0 ndaj Rilindjes 1974, në stadiumin “Përparim Thaçi” të mbushur me shikues, për herë të parë nën ndriçimin e reflektorëve.
Nën drejtimin e trajnerit Munishi, Liria ka gjetur stabilitetin, rezultatet dhe besimin se mund ta përmbushë objektivin. Pas një fillimi jo të lehtë, prizrenasit kanë ndërtuar një skuadër konkurruese, ndërsa trajneri vlerëson se meritat për këtë e kanë të gjithë ata që janë përfshirë në rikthimin e Lirisë në Superligë.
“Ka qenë fillim i vështirë. Meritat kryesore i ka drejtorit sportiv, Valon Bytyqi. Ai ka qenë figura kryesore në koordinim me kryesinë duke i afruar lojtarët që i kam kërkuar dhe me të vërtetë ka luajtur rol të rëndësishëm në këtë proces”, thotë Munishi për KOHËN të hënën.
Ai ka theksuar se rezultatet e deritanishme janë fryt i standardeve të vendosura në skuadër, duke kërkuar nga futbollistët lojë të shpejtë, organizim të mirë në mbrojtje dhe angazhim maksimal në fazën sulmuese.
“Kur i krijon standardet, rezultatet janë të pashmangshme”, ka deklaruar trajneri Munishi.
Munishi ka vlerësuar se Liria ka treguar dominim në pjesën më të madhe të ndeshjeve, duke veçuar faktin se nuk e ka humbur asnjë derbi.
Munishi kërkon rritje të cilësisë dhe konkurrencës brenda ekipit, ndërsa fazën përgatitore e sheh si mundësi për ta ngritur edhe më shumë nivelin e skuadrës.
“Duhet që të vazhdojmë të punojmë njësoj. Duhet të ngritët cilësia e ekipet, të rritet edhe pak konkurrenca, duke shkuar të përmirësohemi në të gjitha aspektet. Jemi në rrugë të mirë por duhet të përmirësohemi ende. Tashmë e kemi edhe fazën përgatitore ku do ta shfrytëzojmë për t’u përmirësuar dhe për të shkuar në nivele edhe më lart”, është shprehur Munishi