Luciano Spalletti ka folur për cilësitë e Edon Zhegrovës, duke e vlerësuar talentin dhe aftësinë e sulmuesit për të krijuar probleme për mbrojtjet kundërshtare, por edhe duke theksuar rëndësinë e ekuilibrit taktik të skuadrës.
Trajneri italian ka nënvizuar se lëvizjet e Zhegrovës janë të paparashikueshme, një karakteristikë që e bën atë të rrezikshëm në duelet individuale dhe i jep mundësi të krijojë zgjidhje edhe në situata të vështira.
“Zhegrova ka aftësi të jetë shkatërrues për kundërshtarët, falë karakteristikave të tij dhe mënyrës se si luan. Lëvizjet e tij janë të paparashikueshme për kundërshtarët, por ndonjëherë janë të paparashikueshme edhe për vetë atë”, ka deklaruar Spalletti.
Tekniku italian ka shpjeguar se sulmuesi kosovar është i gatshëm të ndryshojë drejtimin dhe planet gjatë një aksioni, duke u përpjekur të gjejë zgjidhjen më të mirë, edhe kur situata nuk zhvillohet sipas parashikimeve.
