Komentatori i njohur i sportit, Dritan Shakohoxha, ka treguar se si u ndalua në Beograd të premten nga policia serbe para ndeshjes kundër Shqipërisë në Leskovc.
Në kuadër të Maratonës Zgjedhore në Klan Kosova, ai tha se Serbia ka mbetur shumë prapa në aspektin e respektimit të të drejtave të njeriut.
“Nuk jam në stadium. Erdha me pa një ndeshje futbolli, po ku ta di, këta njerëz kanë mbetur kaq mbrapa për ca gjëra që sinqerisht kisha menduar se i kanë harruar, por ja që këta njerëzi janë si anakronikë”.
“Pritja dje ishte shumë agresive, na mbajtën 3 orë në kufi, jo vetëm mua por të gjithë gazetarët shqiptarë, çdo njeri që ka hyrë në çdo kufi me pasaportë shqiptare… në mënyrë të veçantë emri im dhe i disa të tjerëve ishte i shkruar në një letër aty, edhe biletat na i anuluan, kështu që thash më mirë të mos e marr rrugën deri atje. Pse të bëhem unë problem për ndonjë incident, për çka këta janë shumë të etur për ta krijuar e për ta trumbetuar si flamur se na bënë incident. Kështu që më mirë e gjithë dynjaja ta ketë vëmendjen vetëm te ndeshja”, deklaroi Shakohoxha.
Ai tha se çdo ditë e më shumë po binden me ato që kanë përjetuar kosovarët gjatë luftës nga shteti serb.
“Nuk e di pse këta njerëz nuk jetojnë në paqe. Çdo fjalë nga Prishtina, Prizreni e nga kudo në Kosovë, na thonë se këta njerëz nuk janë ashtu si duken… dhe sa herë që vijmë këtu i zbulojmë. Por po i zbulojmë në një periudhë paqeje, janë kaq anakronikë sa sinqerisht sa herë që vjen këtu e kupton minimalisht, sepse kurrë s’do ta kuptojmë tamam atë që e ka përjetuar çdo njeri i Kosovës nga ta. Janë popull i çuditshëm, më duket sikur jetojnë në vitin 1970”.
