Kosova ka realizuar një fitore spektakolare ndaj Sllovakisë me rezultat 4-3 në udhëtim, në një gjysmëfinale dramatike të play-off-it të luajtur të enjten, duke siguruar kështu një përballje vendimtare në shtëpi ndaj Turqisë të martën për një vend në Kupën e Botës.
Reuters shkruan se shteti ballkanik, që ka nisur të luajë futboll ndërkombëtar vetëm nga viti 2014 dhe nuk është kualifikuar asnjëherë në një turne madhor, tani ndodhet vetëm një ndeshje larg pjesëmarrjes në fazën finale që zhvillohet në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara që nis nga muaji qershor.
Kosova do ta presë Turqinë në Prishtinë të martën, për një vend në Grupin D të Kupës së Botës, ku i presin Australia, Paraguai dhe Shtetet e Bashkuara.
Sllovakia kaloi në epërsi që në minutën e gjashtë, kur mbrojtësi i krahut Martin Valjent realizoi me kokë pas një goditjeje nga këndi. Megjithatë, Kosova barazoi me goditjen e parë në portë, përmes një finalizimi të zgjuar nga Veldin Hoxha.
Bratisllava, që paraqitjen e vetme në Kupën e Botës e ka pasur në vitin 2010, riktheu epërsinë në prag të përfundimit të pjesës së parë, kur gjuajtja e lirë e Lukas Haraslin nga krahu i majtë kaloi pa u prekur nga askush dhe përfundoi në rrjetë.
