Real Madridi e ka vendosur Zinedine Zidanen në krye të listës së zëvendësuesve të mundshëm për Xabi Alonson, në rast se trajneri aktual largohet nga “Santiago Bernabeu”.
Rikthimi i legjendës franceze në kryeqytetin spanjoll po konsiderohet seriozisht nga presidenti Florentino Perez, i cili ka ruajtur gjithmonë marrëdhënie të shkëlqyera me të.
Zidane nuk ka marrë drejtimin e asnjë skuadre që prej vitit 2021, kur u largua nga Real Madridi duke iu referuar mungesës së mbështetjes nga drejtuesit e klubit. Gjatë dy periudhave të tij si trajner madrilen, ai shkroi histori duke udhëhequr “Los Blancos” drejt tre titujve radhazi të Ligës së Kampionëve, një arritje e papërsëritshme në futbollin modern.
Raporti thekson se Zidane vazhdon të gëzojë besimin absolut të Perezit, i cili e konsideron figurën e tij si një kombinim ideal mes autoritetit, karizmës dhe njohjes së thellë të klubit. Ndikimi i tij në dhomën e zhveshjes ka qenë gjithmonë i fuqishëm, ndërsa shumë prej yjeve aktualë të Madridit kanë punuar më herët nën urdhrat e tij, përcjell telegrafi. Megjithatë, situata nuk është plotësisht e qartë. Zidane prej vitesh shihet si trajneri i ardhshëm i Francës dhe pritshmëritë janë që ai të marrë drejtimin e kombëtares në verën e vitit 2026. Federata Franceze e Futbollit prej kohësh e ka konsideruar atë pasuesin ideal të Didier Deschamps.
