Klubi mbretëror spanjoll njoftoi të martën pasdite se presidenti Florentino Perez do të paraqitej në konferencë për media nga ora 18:00, pas mbledhjes së bordit të drejtorëve, pa sqaruar paraprakisht temën e paraqitjes.
Në konferencë, Perez hodhi poshtë zërat për dorëheqje dhe njoftoi se ka thirrur zgjedhje të reja në klub, tri vjet më herët sesa parashihej mandati i tij aktual, i cili duhej të zgjaste deri në vitin 2029.
“Unë nuk do të jap dorëheqje, po thërras zgjedhje. Ka fushata kundër meje. Por unë jam ende këtu dhe jam president. Njerëzit thanë se kam kancer, kjo është krejt e sajuar. Nuk jam i lodhur”, theksoi ai.
Presidenti i Real Madridit sulmoi edhe raportimet në media, duke përmendur konkretisht ABC-në, ndërsa kërkoi të dijë nëse gazetari që kishte shkruar artikullin ishte i pranishëm në sallë.
“Do t’ju tregoj tani çka më treguan mua para disa minutash. ABC ka shkruar se jam i lodhur… si mund ta thoni këtë? A është ky gazetar këtu?”, u shpreh Perez.
Ai insistoi se vazhdon të punojë me intensitet të lartë dhe se nuk ka ndërmend të tërhiqet.
“Unë punoj ditë e natë si kafshë. Me mua president, kemi fituar 76 tituj. Ndoshta duhet t’jua kujtoj. Po, këtë vit s’kemi fituar asgjë, por mos harroni”, deklaroi ai.
Në të njëjtën linjë, ai bëri të ditur se bordi aktual, me të në krye, do të kandidojë në këto zgjedhje, ndërsa u drejtua ashpër ndaj kritikëve.
