Një futbollist 21-vjeçar nga Norvegjia ka zgjedhur një rrugë të pazakontë për ta ndjekur ëndrrën e tij, duke iu bashkuar KF Trepçës, pavarësisht se nuk përfiton pagë nga klubi mitrovicas.
Bëhet fjalë për Kevin Løw Hansvollin, historia e të cilit është prezantuar nga televizioni norvegjez “TV 2”.
Ai aktualisht luan në Ligën e Parë të Kosovës, pasi më parë ishte pjesë e futbollit të divizionit të pestë në Norvegji.
Rrugëtimi i tij drejt futbollit kosovar nuk ishte i zakonshëm.
Gjithçka nisi në Bali, ku Hansvoll kishte udhëtuar për të ndjekur një kurs për trajner personal. Gjatë qëndrimit atje, ai u njoh rastësisht me një person që kishte lidhje me një klub australian, duke hapur kështu mundësi të reja për karrierën e tij.
Më pas, norvegjezit iu krijuan mundësi për të provuar veten edhe në klube të tjera, përfshirë Santa Clarën në Portugali dhe Vålerengan në vendlindjen e tij.
Megjithatë, për momentin, ai ka përfunduar te Trepça, ku po përpiqet të shfrytëzojë çdo mundësi për të bërë hapa përpara në karrierë.
Sipas raportimit të “TV 2”, gjendja financiare e klubit mitrovicas ka ndikuar edhe në kushtet e angazhimit të tij. Hansvoll ka pranuar të luajë pa pagesë, me kusht që t’i sigurohen banimi dhe ushqimi.
“Nëse më siguroni një vend për të banuar dhe ushqim, unë mund të luaj falas”, kishte thënë futbollisti norvegjez.
Ai aktualisht ka kontratë amatore me Trepçën dhe nuk merr pagë nga klubi.
Për Hansvollin, kjo është një tjetër përpjekje për t’iu afruar synimit që ka në futboll, ndërsa për Trepçën situata nxjerr në pah vështirësitë me të cilat po përballet një prej klubeve me traditë në futbollin kosovar.
Një klub me historinë dhe emrin e Trepçës duhet të synojë krijimin e kushteve që futbollistët të zhvillohen dhe të përfitojnë nga puna e tyre, në vend që angazhimi pa pagesë të bëhet zgjidhje për vështirësitë financiare.
Ndërkohë, qëndrimi i Hansvollit në Kosovë pritet të mos zgjasë shumë. Ai planifikon të kthehet në Norvegji në dhjetor, ndërsa agjenti i tij do të vazhdojë të kërkojë mundësi të reja për vazhdimin e karrierës së 21-vjeçarit.