Skiatorja shqiptare Lara Colturi e ka nisur në mënyrë fantastike sezonin e ri të Kupës së Botës në skitë alpine, duke përfunduar në vendin e dytë në garën e slalomit gjigant në Sölden të Austrisë.
Colturi e mbylli garën me kohën e përgjithshme prej 2 minutash, 14 sekondash e 83 të qindtash, vetëm 18 të qindtat prapa fitueses Paula Moltzan. Podiumi u kompletua nga Emma Aicher, e cila zuri vendin e tretë.
Në zbritjen e parë, skiatorja kuqezi regjistroi kohën 1:08.05, duke u renditur në pozitën e gjashtë. Megjithatë, në zbritjen e dytë, ajo tregoi një paraqitje edhe më të mirë, me kohën 1:06.78, e cila ishte ndër më të shpejtat e kësaj faze.
Falë kohës së përgjithshme, Colturi arriti të sigurojë një vend në podium, duke lënë pas emra të njohur të skive alpine, përfshirë Mikaela Shiffrin dhe Camille Rast, të cilat e përfunduan garën jashtë tri vendeve të para.
Ky rezultat përbën një nisje shumë premtuese për skiatoren shqiptare, e cila synon të vazhdojë me paraqitje të mira edhe në garat e ardhshme të sezonit.