John Cena, një nga figurat më të mëdha në historinë e WWE, i dha fund zyrtarisht karrierës së tij në ring të shtunën mbrëma, duke humbur ndeshjen e fundit përballë Gunther në “Saturday Night’s Main Event” në Capital One Arena, Washington D.C.
Ashtu siç e do tradita e mundjes profesionale, Cena “bëri nderin” duke ia dorëzuar fitoren një ylli që do të mbajë kompaninë në të ardhmen. Në një moment historik, ai u dorëzua për herë të parë pas gati 20 vitesh, duke u mposhtur me submission nga Gunther — hera e parë që Cena humbte në këtë mënyrë që nga viti 2005.
Atmosfera ishte thellësisht emocionale. Gunther u prit me fishkëllima, ndërsa hyrja e Cena-s u shoqërua me ovacione të fuqishme. Të gjitha gjestet ikonike të tij — vrapimi drejt ringut, rrëshqitja, përshëndetja — u përjetuan me peshë të veçantë nga tifozët. Cena gjeti kohë edhe të përshëndeste legjenda të pranishme në arenë, mes tyre Kurt Angle, Rob Van Dam dhe Michelle McCool.
