Distria Krasniqi ndezi sërish skenën e xhudos. Xhudistja kosovare, fituese e dy medaljeve olimpike, shkëlqeu të premten në Grand Prixin e Zagrebit, ku u shpall kampione në kategorinë deri 52 kilogramë – një rikthim i fuqishëm pas mungesës së gjatë në gara.
Triumfi në Zagreb është veçanërisht i rëndësishëm për Krasniqin. Për faqen zyrtare të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, ajo tha se “kam kujtime të mira nga Zagrebi. Këtu jam bërë kampione evropiane. Më pëlqen këtu. Është edhe afër kështu që është mirë gjithmonë”, duke treguar lidhjen e veçantë që ka me këtë qytet.
Në finale, kosovarja u përball me hungarezen Reka Pupp, një rivale që e njeh mjaft mirë. Pas 2 minutash e 26 sekondash luftë, Krasniqi realizoi një aksion të bukur për “Ippon”, duke e mposhtur për të dhjetën herë në njëmbëdhjetë ndeshje.
“I them Reka Puppit faleminderit për luftën. Mendoj se kemi pasur shumë përballje, nuk e mbaj mend se sa. Ndoshta në secilën garë është dashur të përballemi me njëra-tjetrën. Gjithmonë është luftë e vështirë. Njësoj ishte edhe kjo e fundit. E respektoj atë shumë, është xhudiste me personalitet shumë të mirë”, u shpreh Krasniqi pas finales.
Kjo ishte gara e parë e saj pas 13 qershorit, kur doli nënkampione e botës në Hungari. Për një sportiste me ritëm të ngjeshur garash, pauza gjashtëmujore ishte e pazakontë.
