Federata e Futbollit të Kosovës u ka bërë thirrje tifozëve që në ndeshjen ndaj Turqisë, në finalen e plejofit për kualifikim në Botërorin e futbollit, të mos qëndrojnë ulur në tribuna.
Në një shkrim në Facebook, FFK-ja ka thënë se sonte është një natë që nuk përsëritet.
“Sot nuk është ditë për të qëndruar ulur në tribunat e stadiumit. Nuk është mbrëmje për ta parë ndeshjen si spektatorë të qetë. Sot është momenti kur secili prej nesh duhet të jetë në këmbë, me zërin në maksimum, me zemrën që rreh për një emër të vetëm: Kosovë. Jemi vetëm një hap larg Botërorit. Një hap që për shumëkënd ka qenë ëndërr e largët për dekada. Një shans që mund të vijë vetëm një herë në jetën tonë. Dhe kur historia të troket në derë, nuk hapet me heshtje, hapet me zhurmë, me pasion, me shpirt. Stadiumi nuk është teatër. Nuk ka skenar të shkruar, nuk ka audiencë pasive. Ka vetëm një rol për të gjithë: të jemi lojtari i dymbëdhjetë. Dardanët në fushë kanë nevojë për atë shtysë që nuk matet me statistika, por ndjehet në çdo sprint, në çdo duel, në çdo goditje”, thuhet në thirrjen e FFK-së.
