UEFA ka hapur një hetim pas një incidenti të dyshuar racist në ndeshjen mes Vikingut dhe Dinamo Zagrebit, ku në qendër të pretendimeve është sulmuesi shqiptar Arbër Hoxha.
Sipas raportimeve nga Kroacia dhe Norvegjia, mesfushori i Vikingut, Tobias Moi, dyshohet se ka denoncuar pranë UEFA-s një përplasje me Hoxhën gjatë ndeshjes së kthimit të fazës “play-off” të Champions League.
Incidenti raportohet të ketë ndodhur në minutën e 57-të, ndërsa Moi dyshohet se ka pretenduar se futbollisti shqiptar ka përdorur një shprehje raciste gjatë përplasjes. Klubi norvegjez ka konfirmuar se Moi ka folur me përfaqësues të UEFA-s pas ndeshjes, ndërsa raportimet e pakonfirmuara identifikojnë Hoxhën si lojtarin e përfshirë në incident.
