Manchester City e ngushtoi avantazhin e Arsenalit në krye të Premierligës në vetëm dy pikë pasi arriti të mbante fitoren në një ndeshje klasike kundër Fulham, ndërsa Erling Haaland theu edhe një rekord tjetër.
“Topçinjtë” do të kenë mundësinë të përgjigjen të mërkurën kur të përballen me Brentford, por skuadra e Pep Guardiolës tregoi mjaftueshëm – të paktën në sulm – për të konfirmuar se këtë sezon kemi vërtet një garë të fortë për titullin.
City u shkëput në një epërsi 5-1 në “Craven Cottage”, por më pas u fik, duke përfunduar ndeshjen duke u mbrojtur me vështirësi tre pikët jetike.
Haaland u bë lojtari më i shpejtë që arrin 100 gola në Premierligë, pasi kaloi Cityn në avantazh. Ai arriti kuotën e 100 golave në paraqitjen e tij të 111-të, duke thyer rekordin e vjetër të Alan Shearer prej 124 ndeshjesh. Sulmuesi norvegjez është lojtari i 35-të që i bashkohet “klubit të 100-shes”.
Haaland duhej ta kishte kaluar Cityn në epërsi që në minutën e gjashtë, pasi u shpërblye me një pasim të artë, por goditja e tij goditi pjesën e brendshme të shtyllës kur dukej i sigurt për të shënuar.
25-vjeçari më pas shënoi golin e parë me një perlë në shiun e dendur të Londrës – ishte goli i tij i 15-të i sezonit në ligë – duke goditur me të majtën pas krosimit të ulët të Jeremy Doku nga krahu i majtë.
City po merrte ritëm dhe e dyfishoi rezultatin para pushimit me një tjetër gol të bukur. Këtë herë Haaland ishte asistuesi, duke u rrotulluar drejt mbrojtësit dhe më pas duke shërbyer për Tijjani Reijnders, i cili finalizoi me një goditje elegante mbi Bernd Leno për golin e tij të parë që nga debutimi.
Foden, që po rikthehet në formën e tij më të mirë javët e fundit, shënoi golin e tretë, pasi një grushtim i dobët i Lenos nga një goditje këndi përfundoi tek ai, dhe ai e dërgoi topin në rrjetë me një goditje të fuqishme me të majtën.
