Amedspor ka regjistruar një fitore bindëse 5:1 ndaj Eyupsporit në Superligën turke, ndërsa trajneri Besnik Hasi ka theksuar se rezultatet e skuadrës nuk janë produkt i fatit, por i punës dhe meritës në fushën e lojës.
Pas ndeshjes, Hasi u shpreh i bindur për vlerat e skuadrës, duke hedhur poshtë çdo pretendim se Amedspor ka përfituar nga rastësia apo fati.
“Paraqitja jonë nuk ka të bëjë aspak me fatin. Nuk jemi këtu rastësisht. Nuk kemi vjedhur pikë nga asnjë kundërshtar, i kemi merituar të gjitha”, deklaroi Hasi.
Ai foli edhe për sfidën e ardhshme ndaj Galatasarayt, duke zbuluar se do të ketë mungesa të rëndësishme në këtë përballje. Në veçanti, Hasi theksoi se do të kishte pasur shumë nevojë për Samuel Balletin, por futbollisti nuk do të jetë në dispozicion për shkak të suspendimit.
“Për ndeshjen ndaj Galatasarayt, ndoshta më së shumti kisha nevojë për Balletin. Fatkeqësisht, ai është i suspenduar dhe nuk do të mund të luajë”, u shpreh ai.
Në fund, Hasi vlerësoi formën aktuale të gjigantit turk, duke e cilësuar përballjen e ardhshme si një test të rëndësishëm për skuadrën e tij.
“Galatasaray është në një formë shumë të mirë. Do të jetë një ndeshje testuese për ne”, përfundoi Hasi