Një agjenci e njohur në tregun spanjoll mund të jetë çelësi që Barcelona po kërkon për ta afruar sulmuesin e Atletico Madridit, Julian Alvarez.
Sipas “Diario Sport”, agjencia Niagara – e udhëhequr nga Andy Bara dhe Juanma Lopez – mund të luajë rol vendimtar në tentativën e Barcelonës për ta bindur Atleticon të lëshojë pe, ose të paktën për të hapur rrugë në negociata.
Niagara konsiderohet si një nga agjencitë më të fuqishme në Spanjë, me një portofol futbollistësh të nivelit të lartë. Po sipas raportimit, ata kanë qenë vendimtarë edhe në dy lëvizje të rëndësishme për katalanasit: transferimin e Dani Olmos nga RB Leipzig te Barcelona në vitin 2024, si dhe kalimin e Joan Garcias nga Espanyoli në “Camp Nou” verën e kaluar. Juanma Lopez thuhet se mban lidhje shumë të mira si me Barcelonën, ashtu edhe me rrethin e Julian Alvarez, diçka që “Blaugrana” mund të synojë ta shfrytëzojë në favor të saj.
