Barcelona po shqyrton mundësinë e transferimit të sulmuesit kosovar Fisnik Asllani, i cili aktualisht aktivizohet te Hoffenheim në Bundesligë. Klubi katalanas po kërkon të forcojë repartin ofensiv për sezonin e ardhshëm, dhe emri i Asllanit ka tërhequr vëmendje për formën e tij të jashtëzakonshme këtë sezon.
Në moshën 23-vjeçare, Asllani po përjeton sezonin më të mirë të karrierës, duke shënuar 10 gola dhe dhuruar 8 asistime deri tani në të gjitha garat. Performanca e tij tregon se nuk është vetëm një golashënues, por edhe një lojtar i aftë në ndërtimin e aksioneve dhe kombinimet me bashkëlojtarët, duke e bërë profilin e tij tërheqës për klubet e mëdha europiane, transmeton lajmi.net.
Drejtuesit e Barcelonës kanë monitoruar zhvillimin e Asllanit prej kohësh dhe e shohin atë si një lojtar të ri me potencial të madh për t’u integruar menjëherë në ekip. Megjithatë, Hoffenheim ka vendosur një çmim të lartë për kartonin e tij: 50 milionë euro, shumë kjo dukshëm më e lartë se buxheti fillestar i Barcelonës, që ishte rreth 30 milionë euro.
