Ylli i Manchester Cityt, Erling Haalandi, është rikthyer sërish në qendër të spekulimeve për të ardhmen e tij, pas komenteve sensacionale të babait të tij, Alf-Inge Haaland, lidhur me një transferim të mundshëm te Real Madridi.
Me Jose Mourinhon tashmë në krye të gjigantit spanjoll, zërat janë intensifikuar ndërsa sulmuesi norvegjez vazhdon të shkëlqejë në arenën ndërkombëtare.
Vala më e fundit e spekulimeve nisi pasi Alf-Inge foli hapur për rrugëtimin në karrierën e të birit, përpara ndeshjeve të fundit të Norvegjisë në Kupën e Botës.
Edhe pse pranoi se Erlingu është i përkushtuar ndaj Cityt, ai tha se joshja e Real Madridit është e vështirë të refuzohet për çdo futbollist.
53-vjeçari deklaroi për “DAZN”: “Transferimi te Real Madridi? Ai është shumë i lumtur te Manchester City dhe ka një kontratë afatgjatë. Po presim sezonin e ri… por kush nuk do të donte të luante për Real Madridin? Në futboll nuk i dihet kurrë çfarë mund të ndodhë”.
Pas këtyre komenteve, eksperti i merkatos Fabrizio Romano ka sqaruar situatën rreth Erling Haalandit dhe një transferimi të mundshëm te Real Madridi.
Pavarësisht zërave të shumtë që e lidhin sulmuesin me një kalim te skuadra e Jose Mourinhos në Madrid, Romano këmbëngul se një marrëveshje e tillë nuk është në plan për këtë afat kalimtar.
