Magazina

Si po bën një festival muzikor atë që diplomacia nuk arriti: Sunny Hill po ndryshon imazhin e Kosovës në botë

Më shumë se 25 vjet pas luftës, Sunny Hill Festival po e pozicionon Kosovën si një shtet evropian modern, të sigurt dhe kreativ, duke sjellë çdo verë në Prishtinë artistë me famë botërore dhe vëmendjen e mediave më prestigjioze ndërkombëtare.

Edicioni i vitit 2026 do të mbahet nga 31 korriku deri më 2 gusht.

Kur BBC dërgoi ekipin e saj në Sunny Hill Festival, historia nuk kishte të bënte vetëm me muzikën, por me mënyrën se si një festival po ndryshon perceptimin e botës për Kosovën. Më shumë se 25 vjet pas përfundimit të luftës, Sunny Hill është shndërruar në një nga instrumentet më të fuqishme të diplomacisë kulturore dhe fuqisë së butë (“soft power”) të vendit.

Artistë që dikur nuk e kishin Kosovën në hartën e turneve të tyre, sot ngjiten në skenën kryesore të festivalit. Edicioni i vitit 2026 do të udhëhiqet nga Katy Perry, duke vazhduar traditën e emrave të mëdhenj si Dua Lipa, Calvin Harris, Miley Cyrus, J Balvin dhe Shawn Mendes, të cilët kanë performuar në vitet e kaluara.

Prania e tyre sjell me vete edhe interesimin e mediave më të njohura ndërkombëtare, përfshirë BBC, The New York Times, The Guardian, Vogue dhe Rolling Stone, duke gjeneruar miliarda shikime dhe miliona euro vlerë mediatike që kontribuojnë në ndryshimin e narrativës për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Ndër momentet më domethënëse të festivalit ishte ai i vitit 2025, kur në skenën e Sunny Hill, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i dorëzoi shtetësinë e Republikës së Kosovës Dua Lipës, e cila më parë, në vitin 2022, ishte emëruar Ambasadore Nderi e Kosovës. Për një shtet të ri që vazhdon të ndërtojë identitetin e tij në arenën ndërkombëtare, Sunny Hill është shndërruar në një platformë të rëndësishme të diplomacisë kulturore.

Sipas organizatorëve, ndikimi ndërkombëtar i festivalit është i jashtëzakonshëm. Për një vend me madhësinë e Kosovës, vlera e ekspozimit mediatik që gjeneron Sunny Hill çdo vit e llogaritur në qindra miliona euro është një nivel promovimi që asnjë fushatë tradicionale e turizmit nuk do të mund ta siguronte.

“Për një kohë të gjatë, bota njihte vetëm një histori për Kosovën. Sunny Hill na ka dhënë mundësinë të tregojmë një histori tjetër historinë e një vendi të ri, kreativ, mikpritës dhe të hapur, të cilin artistët më të mëdhenj në botë vizitojnë me krenari. Ky ndryshim i perceptimit ka për ne më shumë vlerë se çdo shifër,” është shprehur bashkëthemeluesi i festivalit, Dukagjin Lipa.

Back to top button