Sot rreth orës 15:30, një zjarr ka përfshirë ish-kinemanë “ABC”, e cila ndodhet në rrugën ‘Migjeni’ në Prishtinë. Njësitet e zjarrfikësve dhe policisë kanë dalë në vendngjarje për ta lokalizuar zjarrin, teksa tymi është përhapur në gjithë lagjen “Qafa”, raporton GazetaDemos.
Për rastin ka dhënë detaje drejtori i emergjencave, Lulzim Fushtica, i cili tha se po punojnë në shuarjen e zjarrit, teksa rreth shkakut tha se pas lokalizimit do të fillojnë hetimet.
“Sipas informacioneve të para, rasti ka filluar diku nga ora 15:30. Me të marrë informatat janë dalë të gjitha njësitet në vend. Kemi filluar ta lokalizojmë ngjarjen. Ka pas shumë mbeturina. Është objekt që është në mbrojtje të trashëgimisë kulturore dhe në mbrojtje të institutit. Jemi duke i bërë të gjitha që sa më shpejt ta sanojmë zjarrin”.
“Sa i përket hetimeve dhe çka ka ndodh atëherë ekipet hetuese dhe të Policisë, edhe të zjarrfikësve janë në vendin e ngjarjes. Kur të lokalizohet zjarri do të fillojmë edhe me hetim”, tha Fushtica.
I pyetur se a ka qenë dikush brenda dhe se a rrezikohen ndërtesat përreth nga përfshirja e zjarrit, Fushtica mohoi një gjë të tillë, duke shtuar se për çështje sigurie janë njoftuar banorët e zonës.
“E kemi shiku të gjithë objektin. Objekti për momentin është i zbrazët. Janë duke intervenuar të gjitha ekipet dhe jemi duke pritur që sa më shpejt të lokalizohet. Për momentin nuk rrezikohet asnjë ndërtesë. Jemi duke i monituru. I kemi njoftu banorët që të jenë në gjendje gatishmërie në rast se kemi nevojë për evakuuim”.
Fushtica po ashtu deklaroi se materiali që ka shkaktuar shpërthime të zjarrit ka qenë azbesti, i ndodhur në kulmin e objektit, teksa shtoi se ka edhe shumë mbeturina qç mund të jenë shkaktar potencial për rrezik të mundshëm.
“Kanë qenë të shumta mbeturinat në këtë hapësirë. Na duhet të kemi kujdes, për atë edhe e kemi rritë perimetrin e sigurisë për shkak se materialet që janë aty mund të shpërthejnë dhe mund të lëndojnë edhe ndonjë kalimtar të rastit. Ka qenë hapësirë e pamirëmbajtur, për atë rrezikohen edhe zjarrfikësit”, tha Drejtori i Emergjencës.