Sot në seancën gjyqësore ndaj Sllavisha Filiq, ku u tha fjala përfundimtare pasi akuzohet për marrjen, vrasjen dhe zhdukjen e doktor Hafir Shalës, morën pjesë edhe familjarët e viktimës.
Të njëjtit e mirëpritën vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, ku trupi gjykues i shqiptoi dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 15 vitesh.
Në përfundim të seancës, të njëjtit shpërthyen edhe në lot.
Ndryshe, më 15 shtator 2023 Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj Sllavisha Filiq, i cili ngarkohet se si pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, së bashku me dy zyrtarë tjerë të paidentifikuar deri më tani nga organet tona, më 10 prill 1998 kishin ndaluar një veturë në Drenas, ku gjendeshin Hetem Sinani, Shaban Haziraj dhe Hafir Shala, ku të njëjtit sipas aktakuzës nga këta pjestarë ishin legjitimuar.
Aktakuza thotë se i akuzuari Filiq me dy zyrtarë tjerë (të tre të veshur me rroba civile) kishin marrë doktorin Shala dhe e kishin dërguar në objektin e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë, ku mjeku Shala iu kishte nënshtruar rrahjeve dhe torturave dhe se nga ajo ditë më nuk dihet për fatin e tij.