Shtëpia e Bardhë paralajmëroi se Rusia do të përballet me tarifa doganore “shumë të larta” nëse brenda 50 ditëve nuk ndalon luftën në Ukrainë.
“Pra, brenda 50 ditëve, siç është qartë thënë, nëse brenda kësaj periudhe nuk arrihet një marrëveshje për ndalimin e zjarrit ose një marrëveshje paqeje, nëse Rusia refuzon të pranojë ligjërisht ndalimin e zjarrit, atëherë do të përballet me tarifa doganore shumë të larta dhe do të përballet me sanksione dytësore. Pra, vendet që blejnë naftë nga Rusia gjithashtu do të sanksionohen, dhe kjo padyshim do t’i shkaktojë dëm të madh ekonomisë ruse,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
Leavitt theksoi se presidenti Donald Trump dëshiron të përfundojë luftën me një zgjidhje diplomatike.
“Ai ka insistuar për këtë… presidenti dëshiron të ndalojë vrasjet dhe dëshiron të shpëtojë jetë,” shtoi ajo.
Megjithatë, vlen të theksohet se tregtia e jashtme midis SHBA-së dhe Rusisë është shumë e ulët, me një pjesë më pak se 1 për qind të shkëmbimeve totale, duke bërë që tarifat eventuale të jenë të kufizuara në efekt.
Gjithashtu, tarifat dytësore ndaj vendeve që vazhdojnë të tregtojnë me Rusinë mund të mos kenë efektin e dëshiruar, pasi Kina ka paralajmëruar se do të mbështesë fuqishëm Rusinë në rast të një lufte tregtare.