Edhe dy ditë na ndajnë nga seanca konstituive e Kuvendit, e cila tashmë është caktuar për në orën 10:00 të së martës. Vetëvendosje, së cilës i takon posti i kryeparlamentarit, ende nuk e ka bërë publik emrin e kandidatit që pritet të votohet atë ditë.
Katër pika i përmban rendi i ditës i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila shënon legjislaturën e nëntë, qysh prej themelimit të institucionit më 10 dhjetor 2001.
Në seancën e cila është paraparë të fillojë të martën në orën 10:00, fillimisht do të formohet Komisioni i Përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve të sapozgjedhur, ndërsa pas kësaj do të bëhet betimi i deputetëve.
Sipas rregullores së punës së Kuvendit, punimet e seancës konstituive, deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, i drejton deputeti më i vjetër në moshë, i ndihmuar nga deputeti më i ri në moshë, që në këtë rast janë deputeti i Vetëvendosjes, Avni Dehari dhe deputetja e PDK-së, Sala Jashari.
Në pikën e tretë të rendit të ditës është paraparë të bëhet zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit, pozitë kjo e cila i takon partisë që ka numrin më të madh të deputetëve, por që deri tash Vetëvendosje nuk e ka nominuar askënd për të parin e legjislativit të Kosovës.
Si pikë e fundit e rendit të ditës është edhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit, të cilët së bashku me kryetarin e përbëjnë Kryesinë e Kuvendit.
Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 42.30 për qind të votave dhe do t’i ketë 48 deputetë në Kuvend.
Në bazë të këtyre rezultateve, ulëse në Kuvend ka fituar edhe Partia Demokratike e Kosovës me 24 deputetë, Lidhja Demokratike me 20 deputetë si dhe koalicioni AAK-Nisma me 8 deputetë.
Por, sipas këtyre rezultateve të 9 shkurtit, asnjë subjekt politik nuk i ka marrë votat e nevojshme që të mund ta formojë e vetme qeverinë. Si rezultat i kësaj, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka takuar përfaqësuesit e partive joserbe, ndërsa ftesë për konsultime i çoi edhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila e refuzoi.
Sipas ish-shefes së grupit parlamentar, Mimoza Kusari Lila, Vetëvendosjes i duhen edhe 2 vota që të arrijë 61-shin, duke përfshirë këtu edhe 3 votat e Nismës për çka tha se Limaj ka shprehur gatishmëri, por që nuk ka marrëveshje të konfirmuar apo të finalizuar./rtk/