Qeveria e Marokut është shprehur për herë të parë lidhur me zhvillimet në Ceuta. Ishin informatat e rreme shkak për migrimin e papritur të dhjetëra mijëra njerëzve, sipas saj.
Qeveria marokene i konsideron dezinformatat në rrjetet sociale dhe aktivitetet e kontrabandistëve të njerëzve si shkakun kryesor që, gjatë ditëve të fundit, dhjetëra mijëra persona u përpoqën të kalonin nga Maroku në enklavën spanjolle të Afrikës Veriore, Ceuta. Gjithashtu, sipas Ministrisë së Brendshme të Marokut, vendimi i një gjykate spanjolle që ndalon kthimin e menjëhershëm të migrantëve të kapur në det është keqinterpretuar.
Sipas autoriteteve marokene, fluksi i migrantëve nuk ishte i organizuar, por ndodhi spontanisht. Kjo është deklarata e parë zyrtare e shtetit afrikano-verior lidhur me këto ngjarje. Po këto arsye kishte përmendur më herët edhe qeveria spanjolle. Në deklaratën marokene u ritheksua se vendi mbetet i përkushtuar në luftën kundër migracionit të paligjshëm. Njëkohësisht, Maroku kërkoi një ndarje më të drejtë të barrës dhe përgjegjësive.
Gjatë ditëve të fundit, mediat spanjolle kanë raportuar se qeveria marokene mund ta ketë nxitur qëllimisht ose të paktën ta ketë toleruar fluksin drejt Ceutës për të ushtruar presion ndaj Spanjës. Sipas raportimeve të mediave spanjolle, disa migrantë kanë deklaruar në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri se nuk u penguan nga autoritetet, por përkundrazi u inkurajuan të kalonin kufirin.
