Një ngjarje tragjike ka ndodhur sot në orët e para të mëngjesit, në rrugën “Shote Galica” në komunën e Prizrenit, ky një person e ka vrarë me thikë vajzën e tij, teksa lëndime me mjet të mprehtë i ka shkaktuar edhe vajzës tjetër, bashkëshortes, e edhe vetes, raporton GazetaDemos.
Viktima e kësaj tragjedie, i takon moshës 15-vjeçare. E lënduara tjetër, po ashtu është e moshës së mitur, rreth 10-vjeçare.
Përveç Policisë, lajmin tashmë e ka konfirmuar edhe Prokuroria Themelore në Prizren, e cila ka dalë me komunikatë.
Komunikata e plotë:
Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, informon opinionin publik se sot, më datë 06.05.2025, rreth orës 05:30, në rrugën “Shote Galica” në Prizren, ka ndodhur një rast i vrasjes së rëndë.
Bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, dyshohet se krimi ka ndodhur brenda rrethit familjar, ku i dyshuari – (shtetas turk), babai i vajzave, dyshohet se me një mjet të mprehtë (thikë) ka privuar nga jeta vajzën e tij rreth moshës 15-vjeçare, e cila ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Po ashtu, vajza tjetër, rreth moshës 10-vjeçare, ka pësuar lëndime trupore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë. E njëjta është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtejmë mjekësor. Po, ashtu lëndime trupore ka pësuar edhe bashkëshortja e të dyshuarit (nëna e vajzave). I dyshuari gjithashtu është vetlënduar, por është jashtë rrezikut për jetë.
Nga pranimi i informatës në orët e hershme të mëngjesit, në vendin e ngjarjes ndodhet Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ku pritet që me njësitet relevante policore, së bashku me krim tekniken dhe zyrtarët e IML-së, të pëfundojnë procedurat hetimore në vendin e ngjarjes.
Prokuroria Themelore në Prizren, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti tragjik.