Presidenti kinez, Xi Jinping paralajmëroi se bota po përballet me zgjedhjen mes paqes dhe luftës gjatë një parade masive ushtarake në Pekin të mërkurën, i shoqëruar nga Vladimir Putini i Rusisë dhe Kim Jong Un i Koresë së Veriut.
Ngjarja, përkujtim i 80-vjetorit të disfates së Japonisë në fund të Luftës së Dytë Botërore, u shmang kryesisht nga liderët perëndimorë, ndërsa Putin dhe Kim ishin të “ftuarit e nderit”.
E dizajnuar për të treguar fuqinë ushtarake dhe ndikimin diplomatik të Kinës, kjo paradë zhvillohet gjithashtu në një kohë kur tarifat e Presidentit amerikan Donald Trump dhe politika e tij e paqëndrueshme vënë nën presion marrëdhëniet e Kinës me aleatët dhe rivalët njësoj.
“Sot, njerëzimi përballet me zgjedhjen mes paqes dhe luftës, dialogut ose konfrontimit, fitimit të përbashkët ose humbjes totale,” tha presidenti kinez para një turme prej më shumë se 50,000 personave në sheshin “Tiananmen”, duke shtuar se populli kinez “qëndron me vendosmëri në anën e duhur të historisë”.
Helikopterë me flamuj të mëdhenj dhe avionë luftarakë fluturuan në formacion gjatë një shfaqjeje 70-minutëshe që përfundoi me lirimin e 80,000 zogjve “të paqes”.
Presidenti kinez, Xi i veshur me kostum në stilin e Mao Zedong, përshëndeti mbi 25 liderë në tapetin e kuq, përfshirë Prabowo Subianto nga Indonezia. Xi u ul mes Putinit dhe Kim Jong Unit, duke zhvilluar biseda ndërsa mijëra trupa dhe pajisje kaluan para tyre – hera e parë që tre liderët shfaqen bashkë publikisht.
Pas paradës, Putin falënderoi Kim për kontributin e ushtarëve të tij në luftën në Ukrainë, ndërsa lideri korean-verior tha se është i gatshëm të ndihmojë Rusinë.
Trump shkroi në Truth Social gjatë fillimit të paradës duke përmendur rolin e SHBA-së gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe duke iu drejtuar Xi: “Përshëndetje për Putinin dhe Kim Jong Un, ndërsa bashkëpunoni kundër SHBA-së”. Kremlini mohoi çdo komplot ndaj SHBA-së dhe sugjeroi se Trump po ironizonte.