Prova të reja për aferën milionëshe të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, gjatë së martës ka publikuar sërish mediumi slloven Prava, raporton GazetaDemos.
Sipas këtij mediumi, thuhej se Martin Berishaj ka përfituar shuma të ndryshme parash, për të njëjtin shërbim, në kompaninë e tij “MB Consulting” në Beograd.
“Më 10 maj 2019, filialja e GEN-it në Beograd i ka transferuar 20 mijë euro kompanisë ombrellë të Berishajt në Kosovë dhe 24 mijë euro filialit të Berishajt në Mal të Zi. Tek i njëjti person për të njëjtin shërbim të ofruar në të njëjtën datë në dy kompanitë e tij”.
Ndërkaq, sipas pretendimeve të gazetës Prava, Berishaj është paguar nga GEN-i edhe gjatë viteve 2021 dhe 2022.
“Martin Berishaj ka tërhequr shuma parash dhjetë deri në pesëmbëdhjetë ditë pas transferimit nga dega serbe e GEN-I. me seli në Beograd. Asokohe kanë transferuar më shumë se një milion e gjysmë euro nga GEN-I Beogradi në vitet 2015-2022 dhe Berishaj ka shumë të ngjarë të ketë mbledhur 1,392,245.1 euro me transaksione të verës së 2021 dhe 2022! Për më tepër, pas ekzaminimit të kujdesshëm të datave, gjetëm sa vijon”, thuhet në raportimin e Prava.
Ndryshe, raportimi mbi aferën milionëshe të Martin Berishaj, ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë, derisa është kërkuar edhe shkarkimi i tij nga pozita e ambasadorit të Kosovës në Koraci.
Ndërkaq, ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla ka deklaruar se nuk mund t’a shkarkojë një ambasador nga pozita e tij, përderisa sipas saj nuk ka fakte të tilla për përfshirjen e tij në asnjë lloj afere.