Lajme

Policia bastis shtëpinë e Imer Imerit, i sekuestron 5 armë dhe mbi 700 fishekë

Mediat kanë publikuar të hënën një video të Imer Imerit në të cilën ai shihej se mbante në brezi një armë.

Burime të Veriu.info bëjnë të ditur se të nesërmen (e marte) policia ka realizuar një bastisje në shtëpinë e Imer Imerit në fshatin Vojnik të Skenderajt, ku ka sekuestruar 3 pistoleta, 2 armë të gjata dhe 734 fishekë.

Tutje thuhet  se Imer Imeri kishte disa leje për armë të lëshuar gjatë kohës së UNMIK-ut, por të njëjtave u kishte skaduar afati.

Në një komunikatë të lëshuar nga policia për këtë rast thuhet se hetuesit policorë kanë vepruar pas shfaqjes së tij në rrjete sociale me armë.

”Bazuar në informatën e pranuar se një person ishte shfaqur në rrjetet sociale duke ekspozuar një armë, hetuesit policorë në Skenderaj kanë ndërmarrë veprime hetimore dhe si rezultat është identifikuar dhe është lokalizuar personi i dyshuar. Me datën 14.04.2026, mbi dyshimet e bazuara është realizuar bastisje në shtëpinë e të dyshuarit në zonën e Skenderajt“, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia ka bërë të ditur se gjatë kontrollit janë gjetur dhe janë sekuestruar pesë armë: tri armë të shkurta (pistoleta), dy armë të gjata dhe 734 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

”I dyshuari është intervistuar për posedim të paautorizuar të armëve dhe posedim të armëve me autorizim të skaduar. Në konsultim me prokurorin, rasti vazhdon të hetohet në procedurë të rregullt. Ndaj tij është iniciuar rast penal për veprën penale ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’“, përfundon njoftimi i policisë.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button