Close Menu
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    Facebook Instagram YouTube
    GazetaDemosGazetaDemos
    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • OP/ED
    • Stili/Jeta
    • Video
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    GazetaDemosGazetaDemos
    Ballina

    Policët e Kosovës që u arrestuan nga Serbia

    10/06/2025 19:25
    Share
    Facebook Twitter WhatsApp

    Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, është një prej disa policësh ose ish-policësh që e kanë gjetur veten prapa hekurave në Serbi.

    Spahiu u ndalua më 7 qershor në pikën kufitare nga Hungaria në Serbi.

    Autoritetet e drejtësisë atje i shqiptuan masën e paraburgimit prej një muaji, nën dyshimet se ka kryer “vrasje të rëndë”.

    Dyshimet lidhen me incidentin në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – ku një grup i serbëve të armatosur ka sulmuar policinë e Kosovës në shtator të vitit 2023, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

    Në përleshjet me armë që kanë pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues serbë, shkruan REL.

    Por, sipas një konfirmimi nga Policia e Kosovës për Radion Evropa e Lirë, Spahiu atëkohë nuk ka qenë pjesëtar i policisë – ai “ka dhënë dorëheqje vullnetare në vitin 2022”.

    Para tij, në Serbi u arrestuan edhe disa policë ose ish-policë të Kosovës me etni shqiptare dhe serbe.

    Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës u ndalua në Jarinjë
    Në prill të vitit 2024, autoritetet serbe arrestuan zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq.

    Ai u ndalua në pikën kufitare të Jarinjës, e cila lidh Kosovën me Serbinë, për shkak të, siç u tha, shkeljes së rendit kushtetues të Serbisë.

    Autoritetet kosovare thanë në atë kohë se Jankoviq ishte në mesin e dhjetë pjesëtarëve të etnisë serbe dhe asaj shqiptare, që u ndaluan nga autoritetet serbe më 17 prill.

    Jankoviq u lirua një ditë më vonë, pasi Departamenti amerikan i Shtetit i bëri thirrje Serbisë që ta bënte një gjë të tillë.

    Policët e tjerë u liruan po ashtu.

    Më 17 prill të atij viti, sipas të dhënave nga autoritetet e Kosovës, Serbia ndaloi mbi 1.400 qytetarë të Kosovës për më shumë se 20 orë në pikat kufitare me Kroacinë dhe Hungarinë.

    Qeveria e Kosovës i përshkroi këto veprime si hakmarrje të Serbisë për mbështetjen që i dha Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

    Serbia i mohoi këto akuza, duke pretenduar se vonesat ishin shkaktuar nga masat shtesë të sigurisë në kufi.

    Autoritetet atje thanë se lëvizja e qytetarëve të Kosovës “nuk është e kufizuar”.

    Tri ditë para arrestimit të Jankoviqit, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi se kushdo që shkel rendin kushtetues të shtetit të tij, do të “arrestohet dhe ndiqet penalisht”.

    Pas arrestimit të Jankoviqit, kryetarja e Parlamentit serb, Ana Bërnabiq, e pyetur nga Radio Evropa e Lirë për këtë rast, tha se supozonte se “njerëzit, më në fund, u janë përgjigjur thirrjeve” për të mbrojtur rendin kushtetues të Serbisë, duke iu referuar policisë dhe zyrës së prokurorit.

    Tre policë të Kosovës u arrestuan në detyrë
    Tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës u arrestuan më 14 qershor të vitit 2023.

    Sipas autoriteteve në Beograd, ata u kapën më shumë se një kilometër thellë në territorin serb, ndërsa zyrtarët në Prishtinë thanë se ata u rrëmbyen në Kosovë, gjatë një patrullimi kufitar.

    Prokuroria serbe tha se ata dyshoheshin për prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm të armëve dhe eksplozivëve – vepra që në Serbi dënohen deri në 12 vjet burg.

    Me vendim të gjykatës, ata dolën nga paraburgimi më 26 qershor, për t’u mbrojtur në liri.

    Lirimin e menjëhershëm të policëve kosovarë e kërkuan atëkohë Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe.

    Uashingtoni tha se ishte “e qartë se oficerët e policisë nuk kishin qëllim të ishin në Serbi” dhe kërkoi të liroheshin.

    Kryeministri hungarez, Viktor Orban, i bëri gjithashtu thirrje Vuçiqit që t’i lironte policët kosovarë, gjatë një konference të përbashkët për media që mbajtën në Palliq të Serbisë.

    Arrestimi i ish-policit serb
    Ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës, Dragan Nikolliq, u arrestua në prill të vitit 2023 në Beograd.

    Siç tha në atë kohë avokati i tij, Ivan Niniq, Serbia dyshonte se ai ishte anëtar i një grupi kriminal nga veriu i Kosovës, që bënte thirrje për ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues në Serbi.

    Ai u lirua më 25 maj, për shkak të, siç tha avokati, mungesës së provave.

    Nikolliq, i cili u arrestua në pikën kufitare të Jarinjës, i mohoi akuzat.

    Ai kishte dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, në kuadër të tërheqjes kolektive të serbëve nga institucionet e Kosovës.

    Dy policë të Kosovës të arrestuar në rajonin e Merdares
    Në mars të vitit 2012, dy policë të Kosovës, Shukri Binaku dhe Sami Beqiri, u arrestuan në zonën kufitare të Merdares, midis Kosovës dhe Serbisë.

    Presidenca e Kosovës tha atëkohë se arrestimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në detyrë, është sulm ndaj integritetit institucional dhe territorial të Kosovës.

    Policët u liruan pas 48 orësh.

    Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq, tha në atë kohë se, pas seancës dëgjimore në gjykatë, do të ngrihen akuza penale.

    “Ata u arrestuan sepse mbanin armë dhe mbanin uniforma në territorin e Serbisë qendrore. Nuk do të hyj në detaje nëse ishte e qëllimshme apo gabim. Përsëris se Xhandarmëria vetëm ka kryer detyrën e saj”, tha Daçiq.

    Ai deklaroi se policët kosovarë kishin dy pushkë automatike, dy pistoleta dhe pajisje speciale për matjen e distancave.

    “Duke marrë parasysh që serbët e arrestuar janë liruar, nuk kemi asgjë kundër që gjykata të bëjë punën e saj edhe në këtë rast”, tha Daçiq.

    Më parë, Gjykata Supreme e Kosovës kishte vendosur të lironte nga paraburgimi pesë serbë të arrestuar në rajonin e Gjilanit, nën dyshimet se kanë kërcënuar rendin juridik të Kosovës.

    Midis të arrestuarve ishin katër punonjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe një nëpunës në pension.

    Urdhër arrestimi për policin e Kosovës “pa parashkrim”
    Në maj të këtij viti, policia serbe lëshoi një urdhër arrestimi për një polic të Kosovës, pas një incidenti në Mitrovicën e Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe – i cili ndodhi gjatë një feste për një grup të diplomuarish të shkollave të mesme nga komuniteti serb.

    Autoritetet serbe thanë se Dylot Brahimi do të arrestohej kur të ishte në dispozicion të policisë serbe, “pa parashkrim – kurdo që të jetë e mundur”.

    Shtypja në qafë e maturantit serb nga polici kosovar shkaktoi reagime të shumta dhe pretendime për përdorim të forcës së tepruar.

    Në Kosovë, disa thonë se polici reagoi në mënyrë selektive dhe përdori forcë të tepërt, ndërsa të tjerët deklarojnë se policia mori masat e nevojshme për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës

    Artikuj të ngjashëm

    Raportohet për të shtëna me armë zjarri në Prishtinë 

    Vushtrri: Konfiskohen pushkë, pistoletë dhe kallashnikov – në pranga 39 vjeçari

    Arrestohen dy persona për falsifikim të dokumentit dhe legalizimit të përmbajtjes së rreme

    Të Fundit

    “Kush dëshironi ta fitojë luftën Rusi-Ukrainë?”, pyetja që vuri në siklet shefin e Pentagonit

    S’e lirojnë: Gjyqtarët e Speciales mendojnë se Krasniqi do të ndikojë në dëshmitarët e mbrojtjes, ia kujtojnë postimin kundër Shkëlzen Gashit

    Vendimi për pranimin e migrantëve nga SHBA, DASH: Jemi mirënjohës ndaj Kosovës

    Osmani: Luftëtarët e UÇK-së dhe ushtarët e NATO-s e kthyen tmerrin në guxim dhe dhimbjen në shpresë

    Sot seanca tjetër për rastin “Banjska”, dëgjohen dy dëshmitarë

    Gazeta Demos është medium i pavarur informativ, që ka për qëllim informimin e shpejtë dhe të paanshëm, portal që synon të plasojë të dhëna objektive për audiencën e gjerë, duke pasur për kryefjalë lajmin si kategori kryesore. Gazeta Demos ka për mision që të përçojë te lexuesi informatat më të reja të zhvillimeve të fundit brenda dhe jashtë vendit, me etikë profesionale dhe me qasje pasionale. Gazeta Demos funksionon edhe si medium intermedial, e cila në tregun medial po hyn, jo përmes politikave redaksionale ditore, por atyre konstante nacionale, duke e kultivuar edhe shijen e lexuesit. Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

    KONTAKT & MARKETING

    Rruga "Uran Ajeti", 68 Prishtinë
    info@gazetademos.com
    marketing@gazetademos.com
    Tel: +383 48 579 555

    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • Stili/Jeta
    • OP/ED
    • Teknologji
    • Video
    Facebook Instagram YouTube
    Te gjitha te drejtat e rezervuara © GazetaDemos - 2025

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.