Ndërkohë, ekonomistët kanë paralajmëruar se nëse qeveria e Kosovës nuk i ndihmon bizneset e vogla, ato do të falimentojnë. Kjo për shkak se ato nuk do të mund ta përballojnë rritjen e pagës minimale. Ata kanë kritikuar Qeverinë për mos vlerësimin e situatës nëse rritja do t’i dëmtonte bizneset e vogla ose jo.
Paga minimale prej 264 euro, e miratuar me 13 korrik në Kuvendin e Kosovës, po konsiderohet e dëmshme për bizneset e vogla në Kosovë.
Ekspertët e ekonomisë thonë se ajo do t’ua bëjë të vështirë operimin e një pjese të madhe të bizneseve të vogla, në qoftë se qeveria nuk iu ndihmon në forma të ndryshme.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, pati thënë se në Kosovë janë 80 mijë persona që paguhen më pak se 264 euro në muaj, e që sipas tij, janë punëtorët e mirëmbajtjes, sigurimit fizik, arkëtarë e ndërtimtarë.
Njohësi i ekonomisë, Besnik Avdija thotë se disa nga bizneset e vogla e kanë problem t’i përmbahen këtij kriteri, prandaj, shumica e tyre do të falimentojnë.
Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna thotë se rritja e pagës minimale do t’i dëmtojë ndërmarrjet e vogla.
Sipas Rafunës, para se të sillet ligji është dashur të bëhej një vlerësim se sa do të ndikojë rritja e pagës minimale te këto biznese.
Rafuna shton se ka nevojë që të ndihmohen bizneset e vogla, në mënyrë që të mos pësojnë ndonjë dëmtim nga ana e pagës minimale.
Ndërsa, hulumtuesi nga Riinvest, Visar Vokrri potencon se rritja e pagës minimale mund të ndikojë në rritjen e informalitetit te punëtorët.
Përndryshe, me 60 vota për dhe një abstenim, para 10 ditësh është miratuar Ligji për Pagën Minimale. Ky ligj parasheh që paga minimale të bëhet në vlerë 264 euro. Mirëpo, ende pa hyrë në fuqi, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të premten e dërgoi në Gjykatë.