Oda Ekonomike Amerikane ka përshëndetur marrëveshjen e arritur midis Kosovës dhe Serbisë, të shtunën në Ohër.
OEA beson se kjo marrëveshje do të hapë mundësitë e zhvillimit ekonomik për të dyja shtetet, duke përmirësuar shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve, transmeton GazetaDemos.
Gjithashtu, në deklaratën e saj për media ajo përsërit thirrjen e saj që edhe Kosova t’i bashkohet iniciativës së Shqipërisë, Maqedonisë Veriore dhe Serbisë për treg të përbashkët rajonal, në bazë të marrëveshjes të arritur në Uashington më 4 shtator të vitit 2020.
“Oda Amerikane u bënë gjithashtu thirrje të dyja shteteve që të respektojnë zotimet e dhëna më parë për investime në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore. Zhvillimi i infrastrukturës së transportit, së bashku me njohjen reciproke të diplomave universitare dhe certifikimeve profesionale do të mundësojnë lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, si edhe lirinë e ofrimit të shërbimeve, duke përmirësuar në këtë mënyrë mobilitetin e bizniseve dhe profesionistëve brenda hapësirës së Ballkanit të Hapur”, thuhet në deklaratën e OEA-s./Demos/