Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Bernard Nikaj, ka thënë se Kosova është në krizë politike dhe se askush nuk mund ta minimizojë këtë.
Nikaj kritikoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, se del në konferenca dhe sipas tij, provon ta krijojë një bindje se gjithçka është në rregull.
“Kurti është mjeshtër i narratives. Kurti e ka ndërtuar një karrierë politike duke ndërtuar një narrativë që nuk përkon me realitetin. Narrativa e Kurtit që nga dita e parë e deri sot, gjithmonë e ka krijuar një përshtypje që Kurti jeton në një univers paralel”.
“Edhe kjo deklaratë është në frymën e kësaj mendësie politike që Kurti e ka ndërtuar historikisht. Kosova sot nuk ka institucione qendrore, legjitime të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit”, tha Nikaj në “DPT te Fidani” në Klan Kosova.
Tutje, ai u shpreh se në një demokraci parlamentare, legjitimiteti ndërtohet mbi shumicën parlamentare dhe sipas tij, parakushti që Kosova të ketë çka do, është që Kosova të ketë një shumicë parlamentare.