Aktivistja shqiptare që jeton dhe vepron në Amerikë, Albana Krasniqi, e ftuar në emisionin “n’Demos”, ka folur për sfidat e operimit të fëmijëve që vuajnë nga sëmundjet e zemrës në Kosovë.
Krasniqi ka përmendur një fakt shqetësues për mjekësinë në Kosovë, pasi tash e 23 vite pas luftës së fundit, shëndetësia kosovare ka mungesë të kardiokirurgëve pediatër.
Kësisoj, familjet kosovare detyrohen që t’i dërgojnë fëmijët e tyre për trajtim jashtë vendit, ku kostoja e shpenzimeve është tejet e lartë.
“Është çështje profesionale, në Kosovë nuk ka kardiokirurg pediatër, ka kardiolog pediatër por jo kardiokirurg, por nuk ka as qendër të kardiokirurgjisë së fëmijëve akoma, është në zhvillim e sipër, këto operime nuk bëhen në Kosovë, nuk ka rëndësi se sa i vogël është defekti, në Amerikë janë shumë rutimore këto operime, por në Kosovë thjeshtë nuk kryhen”, ka deklaruar ajo “n’Demos”.
I tërë ekipi që ajo drejton përbëhet nga mjekë nga shumë vende të botës, e që 30 prej tyre viteve të fundit udhëtojnë për në Kosovë, për të realizuar këtë mision fisnik.
“Ne kemi lidhje me shumë spitale të ndryshme nëpër Amerikë, kemi mjekë italianë, kemi një marrëveshje me ta, është punë goxha e lodhshme, pasi duhet me gjet kohën që iu përshtaten rreth 30 mjekve që vijnë këtu, duhet me u përshtat me kohën këtu, e organizimi merr goxha kohë”, ka përfunduar ajo, transmeton GazetaDemos.
Emisionin e plotë mund ta ndiqni këtu: