Nënë vetë ushqyese/ Shega Asllani Hoxhaxhiku
Vendimi i fundit i Kryeministrit për të paguar vjehrrat që rrisin nipat dhe mbesat mund të duket si një hap drejt ndihmës familjeve, por për shumë prej nesh, ky vendim është një pasqyrë e qartë e padrejtësisë që ndodh në këtë shtet.
Si mundet një nënë vetushqyese, që punon tre punë për të siguruar një jetë të denjë për fëmijën e saj, të mos marrë asnjë mbështetje sociale apo financiare? Në këtë vend, fëmija im, që rritet nga një prind i vetëm, duhet të jetë i barabartë me ata që marrin 20 euro për fëmijë, edhe nëse janë fëmijë të një milioneri.
Ky është shteti ynë – një shtet që favorizon ata që kanë më shumë dhe që i harron ata që kanë më pak. Kryeministri, në këto zgjedhje, nuk i ka kushtuar as edhe një mendim nënave vetushqyese apo fëmijëve që rriten nga një prind i vetëm. Ndihma për këta fëmijë nuk është thjesht një privilegj,është një domosdoshmëri për të siguruar një të ardhme të barabartë për të gjithë.
Përse një nënë duhet të shpenzojë gjithë energjinë e saj duke punuar tre punë për të mbajtur fëmijën e saj, kur shteti mund të ofronte mbështetje reale? A është kjo barazia sociale për të cilën na flitet? Nëse vjehrrat që kujdesen për nipërit dhe mbesat mund të marrin një pagesë, pse nuk mund të ndihmohen edhe ato nëna që nuk kanë fare mbështetje? Kjo është një thirrje për drejtësi.
Një thirrje për një sistem që nuk e sheh jetën e një fëmije si një numër në një buxhet, por si një investim në të ardhmen. Fëmijët tanë meritojnë më shumë. Ata nuk janë thjesht statistika,ata janë të ardhmja e këtij vendi. Dhe një shoqëri që nuk kujdeset për më të brishtët, është një shoqëri që ka humbur rrugën.