Sulmuesi gabonez Aaron Boupendza ka ndërruar jetë në moshën 28 vjeçare, si pasojë e rënies nga kati i 11-të nga një ndërtesë banimi në Kinë.
Raportohet se Boupendza ka rënë nga banesa ku po banonte, i njëjti ishte duke luajtur për ekipin Zheijang FC në Superligën kineze.
Autoritetet i kanë nisur hetimet rreth arsyes së këtij incidenti me fatalitet, njoftojnë mediat kineze.
Sipas raportimeve prej atje, policia kineze i ka përpara tre skenarë të mundshëm: vetëvrasja, rënia aksidentale dhe vrasja.
Bëhet e ditur se vëllai i Boupendzas ishte prezent në apartament në momentin e incidentit dhe raportohet se të dy e kishin një fjalosje.
Autoritetet po e shqyrtojnë mundësinë nëse kjo zënkë ishte arsyeja që e shtyu Boupendzan që të kërcente.
Pritet që vëllai i tij të merret në pyetje rreth asaj që i ndodhi vëllait të tij.
Boupendza mungoi në stërvitjen e fundit të ekipit pa arsye dhe drejtuesit e Zhejiang FC thanë se ishte e pamundur të binin në kontakt me të para se ta merrnin lajmin për vdekjen e tij.
28 vjeçari ishte bërë i famshëm kur me Hataysporin në Turqi i kishte realizuar 22 gola në 36 ndeshje gjatë sezonit 2020/21, duke e fituar titullin e golashënuesit më të mirë të vitit në Superligën turke.
Gjatë karrierës së tij ka luajtur për klube të ndryshme përfshirë këtu: CF Mounana, Bordeaux, Pau FC, Ajaccio, Tours FC, Feirense, Al-Arabi, Al-Shabab, FC Cincinnati, Rapid Bucharst dhe së fundmi në Zhejing FC.
Autoritetet kineze shumë shpejt pritet t’i bëjnë të ditura shkaqet e vdekjes së futbollistit.