Pas afër dy orë punime, seanca konstituive për legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës është ndërprerë, meqë deputetët s’arritën të kalonin pikën e parë të rendit të ditës, atë të miratimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.
Lidhur me këtë seancë, Kuvendi ka dalë me një njoftim. Në njoftim thuhet se seanca u ndërpre meqë raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve nuk mori votat e mjaftueshme të deputetëve dhe se në këto rrethana dhe pas një konsulte me përfaqësues të partive, është vendosur që seanca të ndërprehet e të njoftohet Presidentja për hapat e mëtejmë
“Kështu, për raportin votuan 52 deputetë, 46 votuan kundër, ndërsa 11 abstenuan”, thuhet në njoftim.
Aty theksohet se në seancë ishin të pranishëm edhe ambasadorë e përfaqësues të tjerë të misioneve diplomatike në vendin tonë.
Seanca nisi punimet nën drejtimin e deputetit më të vjetër të legjislaturës, Avni Dehari nga VV, i ndihmuar nga deputetja më e re, Sala Jashari e PDK’së.
PDK-ja dhe LDK-ja nuk e kanë pranuar dorëheqjen e dorëzuar nga Albin Kurti dhe anëtarët e tjerë të Qeverisë, që janë zgjedhur deputetë. Kurti i ka akuzuar këto parti për “sulm brendainstitucional”.
Në seancën konstituive duhej që deputetët, pas miratimit të raportit, të bënin betimin dhe të zgjidhinin kryetarin dhe nënkryetarët