SHBA-ja ka rifilluar furnizimet ushtarake për Ukrainën, tha Presidenti Volodymyr Zelensky, pasi Uashingtoni ndaloi disa dërgesa të armëve kritike javën e kaluar.
Presidenti amerikan Donald Trump i tha NBC Neës të enjten se kishte bërë një marrëveshje me NATO-n që SHBA-të të dërgonin sisteme mbrojtëse ajrore Patriot në Ukrainë nëpërmjet aleancës, pas një rritjeje të sulmeve ajrore ruse.
Zelensky kishte ngritur shqetësime në lidhje me ndikimin që pauza do të kishte në mbrojtjen e Ukrainës, me furnizimet e sistemeve Patriot dhe predhave të artilerisë precize midis armatimeve që raportohet se janë ndalur.
Rusia ka rritur sulmet me dronë dhe raketa në qytetet ukrainase në javët e fundit, duke shkaktuar viktima rekord civile, raporton BBC.
Pas këtyre sulmeve, Zelensky kërkoi 10 sisteme Patriot. Bateritë Patriot zbulojnë dhe kapin raketat që vijnë dhe konsiderohen si një nga sistemet më të mira të mbrojtjes ajrore në botë.
Marrëveshja e fundit e njoftuar nga Trump do të shohë NATO-n të blejë sisteme Patriot nga SHBA-të dhe më pas t’i shpërndajë ato në Ukrainë.
Ai tha se aleanca do të “rimbursojë koston e plotë”. NATO financohet përmes kontributeve të anëtarëve të saj, përfshirë SHBA-në.
Zelensky tha në Romë të enjten se Gjermania ishte gati të paguante për dy nga Patriotët dhe Norvegjia një, ndërsa partnerë të tjerë evropianë ishin gjithashtu të përgatitur për të ndihmuar.
Ai përshëndeti “paketat e reja evropiane të mbrojtjes” në mesazhin e tij të premten në mbrëmje, duke shtuar se ushtria e Ukrainës do të bashkëpunonte me të dërguarin e SHBA-së Keith Kellogg në javën e ardhshme.