Kalo te përmbajtja
Demos
Keni lajm?
  • Çka ka 3?
  • Lajme
  • Ndërkombëtare
  • Sport
  • Video
  • Magazine
  • Teknologji
  • Stil
  • Këndvështrime
Menyja
  • Ballina
  • Çka ka 3?
  • Lajme
  • Ndërkombëtare
  • Sport
  • Video
  • Magazine
  • Teknologji
  • Stil
  • Këndvështrime
Pamja
Demos

Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

Rubrikat

VideoLajmeNdërkombëtareSportMagazineTeknologjiStilKëndvështrime

Demos

Rreth neshPolitika editorialeKontaktPrivatësiaKeni lajm?
Gazeta Demos SH.P.KRr. “Uran Ajeti”, 68, Prishtinëinfo@gazetademos.commarketing@gazetademos.comTel: +383 48 579 555
© 2026 Demos. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Ndërkombëtare

Zelensky dhe udhëheqësit evropianë do të flasin me Trumpin në prag të takimit të tij me Putinin

GD
Gazeta Demos13 gusht 2025 në 09:10
Zelensky dhe udhëheqësit evropianë do të flasin me Trumpin në prag të takimit të tij me Putinin

Udhëheqësit e Evropës dhe Ukrainës do të flasin me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në një takim virtual të mërkurën, para samitit të tij me presidentin e Rusisë, Vladimir Putinin.

Trump do të mirëpresë Putinin – i cili është i izoluar nga Perëndimi prej se Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës në vitin 2022 – për bisedime në Alaskë të premten.

Presidenti amerikan ka thënë se ky takim do të shërbejë si një “takim njohës” në përpjekjet e tij për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.

Javën e kaluar, Trumpi u pajtua për mbajtjen e takimit të parë SHBA–Rusi që nga viti 2021, duke ndryshuar papritur kursin, pavarësisht se për javë të tëra kishte shprehur zhgënjim me Putinin, i cili shpërfillte nismën paqësore të SHBA-ve.

Trumpi thotë se si Kievi ashtu edhe Moska do të duhet të heqin dorë nga pjesë të tokës së vet për t’i dhënë fund luftës. Trupat ruse tashmë kanë pushtuar gati një të pestën e të gjithë tokës së Ukrainës.

Paparashikueshmëria e mënyrës se si do të zhvillohet takimi në Alaskë ka nxitur frikë në Evropë se udhëheqësit amerikanë dhe rusë mund të marrin vendime me pasoja të gjera, madje të përpiqen ta detyrojnë Ukrainën ta pranojë ndonjë marrëveshje të paleverdishme.

“Ne po përqendrohemi tani që të sigurohemi se kjo nuk ndodh, duke bashkëpunuar me partnerët amerikanë dhe duke qëndruar të koordinuar e të bashkuar nga ana evropiane. Ka ende shumë kohë deri të premten”, tha një zyrtar i lartë nga Evropa Lindore.

Administrata e Trumpit uli pritshmëritë të martën për ndonjë përparim të madh drejt armëpushimit, duke e quajtur takimin e tij me Putinin në Alaskë si “mundësi e mirë dëgjimi”.

Takimi virtual përmes videos midis Trumpit, presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe udhëheqësve të Gjermanisë, Finlandës, Francës, Britanisë, Italisë, Polonisë dhe Bashkimit Evropian pritet të zhvillohet në orën 14:00, tha një zëdhënës i Qeverisë gjermane.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të marrë gjithashtu pjesë në konferencën e organizuar nga kancelari gjerman, Friedrich Merz.

Ukraina shpreson që takimi të shërbejë, të paktën pjesërisht, si një kundërpeshë evropiane ndaj samitit në Alaskë.

Udhëheqësit evropianë kanë theksuar vazhdimisht se mirëpresin përpjekjet e Trumpit për paqe, por kanë nënvizuar se nuk duhet të ketë marrëveshje për Ukrainën pa pjesëmarrjen e vetë Ukrainës.

Gjashtë zyrtarë të lartë evropianë i thanë Reutersit se shohin rrezikun e një marrëveshjeje që do të ishte e pafavorshme për Evropën dhe sigurinë e Ukrainës. Ata thanë se uniteti evropian do të ishte thelbësor nëse kjo ndodh.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u tha gazetarëve të martën se samiti do të jetë një “mundësi e mirë dëgjimi” për Trumpin, që të dëgjojë se çfarë do të duhet për të arritur një marrëveshje.

Pas takimit virtual, Trump dhe nënpresidenti JD Vance pritet të flasin me udhëheqësit evropianë në një takim tjetër online në orën 15:00, tha zëdhënësi gjerman.

Më pas, në orën 16:30, do të mbahet një takim online i “koalicionit të vullnetit”, një grup vendesh që punojnë për plane për të mbështetur Ukrainën në rast të një armëpushimi./REL

Më shumë nga Ndërkombëtare

  • 21:10Dy të vdekur dhe qindra të evakuuar pas shpërthimit të dy zjarreve në një ishull grek
  • 19:16Sherri për klientët, plagoset shitësi i biletave në Vlorë
  • 19:15NATO rrëzon një tjetër dron të dyshuar rus
  • 19:10Arrestohet një shqiptar në Bari të Italisë që dyshohet se e rrahu për vdekje partneren
  • 17:55Dy të vdekur nga zjarret që kapluan ishullin grek të Salaminës