Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Pekin nga 2 deri më 4 shtator, ku pritet të takohet me presidentin e Kinës, Xi Jinping, dhe me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, ka njoftuar Presidenca e Serbisë.
Gjatë qëndrimit në Kinë, Vuçiq do të zhvillojë takime edhe me zyrtarë të tjerë të lartë kinezë, si dhe me përfaqësues të kompanive të mëdha ndërkombëtare. Vizita realizohet me ftesë të presidentit Xi Jinping dhe do të përfshijë edhe pjesëmarrjen e Vuçiqit në ngjarjet përkujtimore me rastin e 80-vjetorit të fitores në Luftën e Dytë Botërore.
Në kuadër të aktiviteteve, më 3 shtator Kina do të organizojë një paradë ushtarake për të shënuar dorëzimin zyrtar të Japonisë në vitin 1945. Pjesëmarrjen e tyre në këtë ceremoni e kanë konfirmuar edhe udhëheqës të Koresë së Veriut, Bjellorusisë, Iranit, Kubës, Indonezisë, Mianmarit, Pakistanit, Malajzisë dhe vendeve të tjera.
Sipas Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, takimi mes Vuçiqit dhe Putinit do të përqendrohet në marrëdhëniet dypalëshe, veçanërisht në bashkëpunimin në fushën e energjisë. Ndihmësi i presidentit rus, Yuri Ushakov, ka theksuar se është planifikuar një “shkëmbim pikëpamjesh mbi çështjet kryesore të bashkëpunimit ruso-serb”.