Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të dielën se në mars të vitit 2027 do të nisë kryerja e një shërbimi të detyrueshëm ushtarak “shumë të shkurtër”.
Ai e bëri këtë njoftim gjatë një vizite për inspektimin e armatimit dhe pajisjeve në aeroportin ushtarak “Millenko Pavloviq” në Batajnicë, pranë Beogradit.
“Para kësaj do të fillojnë procedurat burokratike, ndërsa në mars do të fillojmë shërbimin e detyrueshëm ushtarak shumë të shkurtër. Kjo do t’i forcojë më tej kapacitetet tona mbrojtëse”, tha Vuçiq.
Ai nuk shpjegoi se sa do të zgjasë saktësisht ky shërbim “shumë i shkurtër”.
Në fillim të këtij viti, ai kishte paralajmëruar se shërbimi i detyrueshëm ushtarak do të rikthehej në dhjetor 2026 ose në mars 2027, dhe se do të zgjaste 75 ditë.
Futja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak duhet ta marrë pëlqimin e Kuvendit të Serbisë.
