Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se më 26 gusht ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavrov, për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe për situatën politike në rajon.
Vuçiq tha se e ka njoftuar shefin e diplomacisë ruse për situatën në Kosovë dhe, siç shkroi ai, për “përpjekjet e vazhdueshme për dëbimin e popullsisë sonë nga vatrat shekullore, si dhe për heshtjen e shumicës së bashkësisë ndërkombëtare”.
Temë bisede, sipas Vuçiqit, ishte edhe situata në Bosnje e Hercegovinë.
“Diskutuam mbi situatën në Bosnje e Hercegovinë, krizën e shkaktuar nga jashtë, me sulme të vazhdueshme ndaj (entitetit) Republika Sërpska”, shkroi Vuçiq në Instagram.
Ai, më herët, pas vendimit në Bosnje e Hercegovinë për t’ia hequr mandatin Millorad Dodikut si president i atij entiteti, kishte deklaruar se Beogradi “gjithmonë do të qëndrojë pranë popullit tonë dhe Republikës Sërpska”.
Dodikut iu hoq mandati pasi u dënua me një vit burgim dhe me gjashtë vjet ndalim për të ushtruar funksione publike, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë.