Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të dielën se është gjetur një lëndë plasëse “me fuqi të madhe shkatërruese” gjatë një hetimi rreth kërcënimeve ndaj infrastrukturës së gazit në afërsi të kufirit me Hungarinë.
Vuçiq theksoi se e ka njoftuar për këtë kryeministrin hungarez, Viktor Orban, përmes një bisede telefonike.
“Ia paraqita atij rezultatet e para të hetimit nga autoritetet tona ushtarake dhe policore në lidhje me kërcënimin ndaj infrastrukturës kritike të gazit që lidh Serbinë dhe Hungarinë”, shkroi Vuçiq në Instagram të dielën.
Orban tregoi më vonë se ishte njoftuar nga Vuçiqi për këtë.
Kryeministri hungarez, i cili është aleat i Vuçiqit, tha në një postim në Facebook se “autoritetet serbe kanë gjetur eksplozivë shkatërrues dhe pajisjet e nevojshme për aktivizim në infrastrukturën kritike të gazit që lidh Serbinë dhe Hungarinë”.
Vuçiq shtoi se përveç eksplozivit, u gjetën edhe fitila për aktivizimin e tij.
Ai nënvizoi më pas në Beograd, gjatë një vizite në vendin e ndërtimit për ekspozitën Expo, se jo shumë larg vendbanimit Velebit në Vojvodinën veriore, disa qindra metra nga tubacioni i gazit Balkan Stream, u gjetën në dy çanta shpine dy pako të mëdha me eksplozivë me fitil.
“Ato mund të kishin rrezikuar një numër të madh njerëzish dhe të kishin shkaktuar dëme të mëdha në furnizimin me gaz të Serbisë dhe Hungarisë”, tha ai.
“Kemi të dhëna dhe një hetim është duke u zhvilluar. Sapo mbarova bisedën me Viktor Orbanin. Është e qartë se lojërat gjeopolitike nuk do të na lënë rehat”, tha Vuçiq.
