Princi Andrew, i njohur edhe si Andrew Mountbatten-Windsor, akuzohet nga ish-nëpunës civilë se ka faturuar taksapaguesit britanikë për shërbime masazhi dhe udhëtime të tepërta gjatë kohës kur shërbeu si i dërguar tregtar i Mbretërisë së Bashkuar në periudhën 2001–2011.
Sipas raportimit të BBC, një ish-zyrtar i Departamentit të Tregtisë, i cili ka kërkuar të mbetet anonim, ka deklaruar se kishte kundërshtuar pagesën e një fature për “shërbime masazhi” pas një vizite zyrtare të Princit Andrew në Lindjen e Mesme. Megjithatë, ai thotë se kjo u tejkalua nga eprorët dhe shpenzimi u miratua.
“E mendova se ishte e gabuar… Thashë që nuk duhej paguar, por përfundimisht u pagua”, është shprehur ai për BBC-në, duke shtuar se në atë kohë duhej të ishte ngritur një “flamur i kuq” për mënyrën e sjelljes dhe shpenzimeve. Një tjetër ish-zyrtar i lartë i Whitehall-it ka mbështetur këto pretendime, duke thënë se kishte parë shpenzime të ngjashme. Sipas tij, gjatë vizitave zyrtare kishte shpenzime të konsiderueshme për fluturime, dhoma hoteli dhe shoqërues, shpesh pa kontroll të mjaftueshëm financiar.
Roli i princit Andrew si përfaqësues tregtar ishte i papaguar, por ai përfitonte mbështetje nga nëpunësit civilë dhe fondet publike për udhëtimet jashtë vendit. Departamenti për Biznes dhe Tregti nuk i ka kundërshtuar drejtpërdrejt pretendimet lidhur me periudhën e tij si i dërguar, por ka theksuar se ekziston një hetim policor në vazhdim lidhur me çështje të tjera.
